Kursi i këmbimit Euro-Lek vazhdon rënien, pranë thyerjes së kufirit të 96 lekëve
Kursi Euro-Lek vijon rënien dhe ka arritur një tjetër minimum historik, duke u afruar gjithnjë e më shumë me kufirin e 96 lekëve për euro.
Sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë, monedha europiane u këmbye sot me 96.05 lekë, niveli më i ulët i regjistruar ndonjëherë në tregun valutor shqiptar. Që nga fillimi i vitit kursi ka rënë me rreth 0.7 për qind, ndërsa krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë rënia arrin në 3.2 për qind.
Tendenca rënëse është theksuar gjatë tremujorit të parë të vitit, një zhvillim jo shumë i zakonshëm për këtë periudhë, kur zakonisht kursi i këmbimit ka luhatje më të kufizuara.
Bizneset po rrisin shitjet e euros
Sipas agjentëve të tregut valutor, rënia e euros në javët e fundit nuk lidhet domosdoshmërisht me flukse të mëdha hyrëse nga jashtë vendit. Burimet nga tregu tregojnë se një faktor i rëndësishëm janë këmbimet e mëdha valutore që po kryejnë bizneset, të cilat po shesin euro nga llogaritë e tyre dhe po blejnë lekë.
Në të njëjtën kohë, ndërhyrja e Bankës së Shqipërisë në tregun valutor duket të ketë qenë më e kufizuar gjatë kësaj periudhe, duke bërë që kursi të përcaktohet më shumë nga raporti i kërkesës dhe ofertës në treg.
Roli i Bankës së Shqipërisë në treg
Në dy vitet e fundit, Banka e Shqipërisë ka pasur një rol të rëndësishëm në frenimin e forcimit të lekut përmes blerjeve të valutës në tregun e brendshëm. Sipas të dhënave zyrtare, në nëntë muajt e parë të vitit 2025 banka qendrore bleu gjithsej 825.6 milionë euro, vlera më e lartë historike për këtë periudhë.
Krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, blerjet e valutës u rritën me 52.2 për qind, duke ndihmuar në stabilizimin e kursit të këmbimit. Për vitin 2026, Banka e Shqipërisë ka planifikuar të rrisë më tej ndërhyrjet, duke synuar të blejë përmes ankandeve 330 deri në 450 milionë euro në tregun e brendshëm, me qëllim forcimin e rezervës valutore.
FMN kërkon më pak ndërhyrje
Megjithatë, Fondi Monetar Ndërkombëtar ka rekomanduar një qasje më të kujdesshme ndaj ndërhyrjeve në kursin e këmbimit. Në përfundim të misionit të fundit për Shqipërinë, FMN theksoi se kursi i këmbimit duhet të funksionojë si një amortizator ndaj goditjeve ekonomike dhe të ketë fleksibilitet më të madh.
Sipas FMN-së, rritja e mëtejshme e rezervave valutore duhet të vlerësohet duke peshuar përfitimet kundrejt kostove, përfshirë rreziqet nga normat e interesit dhe humbjet e mundshme nga rivlerësimi i monedhave.